Transparenca në qeverisjen lokale

Në dekadën e kaluar fokusi ndaj transparencës, si një aspekt i përmirësimit të qeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit, ka qenë në nivel kombëtar, që lidhet kryesisht me prirjet globale të pluralizmit, demokratizimit dhe përmirësimit të qeverisjes. Në një aspekt, kjo është e kuptueshme, pasi që korrupsioni - pasojë më e spikatur e mungesës së transparencës - shpesh është më i dukshëm në nivel kombëtar, dhe për shkak se institucionet e legjislativit, ekzekutivit apo gjyqësorit kanë qenë pikë tradicionale e referencës për luftimin e korrupsionit. Kohët e fundit, megjithatë, ekziston një ndryshim në drejtim të rritjes së transparencës në nivel lokal. Gjithnjë e më shumë po kuptohet rëndësia e ndërtimit të transparencës në nivel lokal si mjet për trajtimin e disa nga sfidave më të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm dhe demokracinë.

Janë dy aspekte themelore të qeverisjes (dhe qeverisjes së mirë). Së pari, koncepti i qeverisjes është më i gjerë se qeveria. Në kontekstin urban, kjo do të thotë se përgjegjësia për menaxhimin e çështjeve të një qytetit nuk është e kufizuar në pushtetin lokal, por përfshin një shumëllojshmëri të gjerë të palëve të interesuara, duke përfshirë: qeverinë qendrore dhe lokale, sektorin privat, organizatat e shoqërisë civile dhe ato të bazuara në komunitet, mediet, shoqatat profesionale dhe anëtarë të tjerë të shoqërisë civile. Së dyti, koncepti i qeverisjes fokusohet në institucionet dhe proceset. Në kontekstin e burimeve të pakta, që konkurrojnë, por të vlefshme, prioritetet duhet të vendosen me anë të proceseve që përfshijnë të gjitha palët e interesuara në vendimmarrje. Kjo ka implikime të rëndësishme për zhvillimin e një kornize për promovimin e transparencës në nivel lokal. Transparenca në proceset vendimmarrëse dhe në institucione ka potencial të bëhet një strategji qendrore për t'u angazhuar aktorët, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e cilësisë së qeverisjes urbane në përgjithësi.

Prandaj, transparenca paraqet parimin thelbësor të qeverisjes së mirë. Qasja e lirë në informata luan një rol të rëndësishëm në promovimin e transparencës. Informacioni, megjithatë, duhet të jepet në kohë, të jetë relevant, i saktë dhe i plotë për t’u përdorur në mënyrë efektive. Çështjet se kush e prodhon atë informacion, dhe për çfarë qëllimi, bëhen aspekte kyçe të transparencës, kur interesat konkurrente puqen në një çështje të veçantë. Një nga modelet më të avancuara për sigurimin e transparencës është korniza pesë-pikëshe për rritjen e transparencës: 1. Vlerësim dhe monitorim, 2. Qasje në informacion, 3. Etikë dhe integritet, 4. Reformë institucionale dhe 5. Trajtimi i çështjeve specifike.

Strategjitë dhe mjetet për sigurimin e transparencës në qeverisjen lokale