Informimi publik

Të gjeturat kryesore të monitorimit në fushën e informimit dhe qasjes së qytetarëve në vendimmarrje dëshmojnë për probleme të mëdha strukturore të qeverisjes lokale në Prizren. Procesi i monitorimit, ndër tjerash ka identifikuar disa aspekte problematike të transparencës.

KOMUNIKIMI ONLINE
Komunikimi online me qytetarin është segment në fillet e zhvillimit, pasi që faqja e internetit e komunës së Prizrenit kryesisht përmban informacion protokollar. Në këtë ueb-faqe ka mungesë të informatave rreth vendimeve dhe raporteve të punës, ndërsa ajo ofron qasje të kufizuar në dokumentet publike të komunës.

UEB-FAQJA
ueb-faqja e komunës së Prizrenit është një mundësi e mirë për rritjen e transparencës komunale. Megjithatë, komuna e Prizrenit është treguar mjaft pasive në vendosjen e informatave relevante rreth vendimmarrjes në ueb-faqe.

VENDIMET PRELIMINARE
Në të shumtën e rasteve, në ueb-faqe postohen vendimet e marra në formën e tyre përfundimtare. Kjo praktikë është në kundërshtim me kërkesat e qeverisjes demokratike, e cila kërkon krijimin e mundësive për pjesëmarrje dhe ndikim qytetar në marrjen e vendimeve edhe gjatë procesit të hartimit së politikave. Komuna e Prizrenit dështon në publikimin e akteve komunale në formë preliminare në ueb-faqen e komunës. Kjo paraqet edhe një pengesë serioze, si dhe tregon për mosgatishmërinë e vendimmarrësve lokalë për përfshirjen e qytetarëve në hartimin e politikave publike.

QASJA NË DOKUMENTE PUBLIKE
Një e metë tjetër e qeverisjes së mirë në komunën e Prizrenit është shkelja e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Sipas raporteve të organizatave hulumtuese, gjendja më e keqe në fushën e qasjes në dokumente publike është në nivelin komunal, ndërsa komuna e Prizrenit radhitet në nivele mjaft të ulëta të këtij vlerësimi.

TAKIMET E KRYETARIT ME DREJTORËT
Njëra ndër veprimet më kundërthënëse dhe njëkohësisht më dëmtuese për demokracinë lokale, që është ndërmarrë në mandatit e kryetarit aktual të komunës është mbyllja për publikun e takimeve të kryetarit me drejtorët (dikur Bordi i Drejtorëve). Që nga marrja e një vendimi të këtillë, asnjëherë nuk është dhënë një arsyetim i artikuluar dhe bindës për arsyeshmërinë e kësaj mbylljeje. Kjo praktikë, e cila bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente është dëshmia më e mirë se komuna e Prizrenit po dështon në promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë. Në takimet e kryetarit të komunës me drejtorët komunalë, merren vendimet më të ndjeshme rreth menaxhimit të buxhetit komunal.

PJESËMARRJA QYTETARE
Qytetarët e komunës së Prizrenit edhe më tutje nuk janë pjesë e politikëbërjes lokale dhe përfshirja e tyre në procesin e konsultimeve është tepër e rrallë ose vetëm formale. Mekanizmat e demokracisë direkte, të cilat parashihen me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Statutin e komunës së Prizrenit janë mundësi e pashfrytëzuar deri tani në komunën e Prizrenit. Në anën tjetër, komuna e Prizrenit po dëshmon paaftësi totale në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike, takimeve publike, buxhetimit me pjesëmarrje dhe komiteteve konsultative.

RREGULLORJA PËR TRANSPARENCË
Rregullorja për Transparencë e komunës së Prizrenit është tërësisht jo-obliguese për kryetarin e komunës dhe ekzekutivin komunal. Prandaj, një rregullore e këtillë, ku nuk specifikohen obligimet e ekzekutivit komunal paraqet një ikje të qëllimshme nga përgjegjësia dhe llogaridhënia. Për më tepër, ajo e redukton transparencën vetëm në nivel të Kuvendit të Komunës. Me këtë përmbajtje të Rregullores, jo vetëm që nuk do të promovohet transparenca komunale, por edhe kryetarit të komunës do t’i krijohet një alibi e fortë për t’u amnistuar nga kritikat për mungesë të transparencës.

RAPORTI I AUDITORIT
Raporti i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për komunën e Prizrenit për vitin 2011 dëshmon për paaftësinë e komunës së Prizrenit për qeverisje të mirë dhe transparente kur bëhet fjalë për paranë publike. Në 60 mostra të testuara nga Auditori, që mbulojnë mbi 6 milion euro të pagesave të shpenzimeve përmes procedurave  të  prokurimit, është  vërejtur  se  në  17  mostra  komuna  ka  ndërmarrë procedurat e prokurimit të cilat nuk janë në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.