Konteksti


Periudha e pasluftës dhe tranzicioni në përgjithësi kanë sjellë me vete zhvillim të pakontrolluar edhe në Prizren, që është manifestuar me çintegrim urban, planifikim të pa-balancuar hapësinor, humbjen e tokës bujqësore e deri te degradimi i trashëgimisë natyrore në zonat rurale. Mungesa e transparencës në vendimmarrje dhe vënia e pushtetit në krah të grupeve të caktuara të interesit, qoftë nga biznesi apo politika, në kurriz të ambientit jetësor të qytetarëve ka bërë që qyteti dhe zonat e mbrojtura natyrore të përfshihen nga një kaos urbanistik shkatërrimtar, pasojat e të cilit do të jenë afatgjate. Ndërtimet pa leje, përshtatja e Planeve Rregullative Urbane nevojave të grupeve të interesit që merren me biznesin e ndërtimtarisë dhe mos krijimi i mekanizmave të kontrollit bashkë me mos veprimin e duhur institucional, duke nisur nga Drejtoria e Urbanizmit, Inspektorati e deri te organet e drejtësisë kanë bërë që Prizreni të përjetoj një degradim të pariparueshëm urbanistik, duke rrezikuar madje edhe bërthamën qendrore të Zonës Historike.

Në kuadër të projektit të EC Ma Ndryshe mbi monitorimine punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit (nisur në mars 2012 dhe në vazhdim e sipër)është nxjerrë në pah faktin se mos respektimi i kritereve të ndërtimit nuk ndëshkohet nga institucionet, ndërkohë që gjendja e krijuar në fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor është alarmante pasi që ndërtimet vazhdojnë me shpërfillje të lejeve të ndërtimit të dhëna nga DUPH-ja. Gjatë këtij monitorimi është vërtetuar se rreth 80 për qind e ndërtimeve në qytetin e Prizrenit nuk i përmbahen lejeve të ndërtimit, që bashkë me shprehjen e tendencës për pazarllëqe të ndryshme me kompanitë ndërtimore janë fenomeni dominues i projekteve urbanistike të financuara nga buxheti i komunës së Prizrenit. Me vite, EC Ma Ndryshe është duke theksuar se transparenca e komunës ka të meta strukturore dhe se përkundër përpjekjeve modeste të lidershipit komunal vazhdon të jetë në nivel të ultë, që manifestohet me informim jo-adekuat, mos përfshirje të duhur në vendimmarrje dhe mungesë të llogaridhënies kundrejt qytetarëve.

Një nga pasojat direkte të këtij kaosi urbanistik në Prizren dhe qytetet tjera të Kosovës ka qenë edhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, e cila nuk i ka shpëtuar viktimizimit nga sistemi i ri i “vlerave” pas lufte, që karakterizohet me mungesë totale të llogaridhënies e përgjegjësisë dhe me kulturë të mosndëshkimit. Në një mjedis të tillë, investitorët në ndërtimtari kanë arritur që paratë e fituara në rrugë joformale t’i shpërlajnë përmes ndërtimeve të shumta, gjatë të cilit proces ata i kanë korruptuar edhe zyrtarët e pushteteve lokale të Kosovës. Esencialisht, problemi qëndron në mosndalimin dhe mosndëshkimin e veprimtarisë ekonomike joformale nga institucionet e shtetit. Rrjedhimisht, është pothuaj absurde të pritet që i njëjti shtet të vendosë rregull dhe të ndalojë aktivitete degraduese ndërtimore në qendrat historike të qyteteve. Sektori i ndërtimeve në Kosovë vazhdon të jetë njëri ndër më të përfolurit për keqpërdorime dhe korrupsion. Konkretisht, disa zyrtarë të komunës së Prizrenit dhe disa kompani ndërtimi janë nën hetime nga Prokuroria Themelore për parregullsi urbanistike. E njëjta gjendje vlen edhe për Prishtinën, ku disa nga zyrtarët komunalë janë të përfshirë në kaosin urbanistik që e ka kapluar kryeqytetin.

Menjëherë pas lufte dhe në vakuumin e përgjithshëm ligjor e institucional, qytetet e Kosovës u përfshinë nga një valë agresive ndërtimesh, që erdhën si reagim ndaj nevojave të mëdha të krijimit të hapësirave të reja të banimit dhe zhvillimit të aktiviteteve të biznesit. Shkaku kryesor i këtij zhvillimi ishte migrimi i brendshëm rural – urban, i cili ka shtuar në mënyrë drastike numrin e popullsisë në qendrat urbane të Kosovës. Përveç mungesës së legjislacionit qendror për planifikim hapësinor, sistemi institucional i Kosovës ishte i papërgaditur edhe në nivelin komunal. Me struktura mjaft të brishta të qeverisjes dhe menaxhimit urban, komunat e Kosovës kishin shumë pak mundësi të kontrollojnë këtë urbanizim kaotik. Për më tepër, ishin vetëm zyrtarët komunalë, ata që u përfshinë në mënyrë direkte në shumë parregullsi urbanistike të kësaj periudhe, të cilat me intensitet të ndryshëm vazhdojnë të ndodhin edhe sot. Janë rreth dhjetë institucione qendrore dhe lokale që kanë përgjegjësi direkte për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe krijimin e rendit urbanistik të qyteteve. Përgjegjësia është e ndarë në formën që e implikon secilin institucion në masë të caktuar dhe që kërkon qasje të integruar në vendimmarrje dhe ekzekutim. Vala e ndërtimeve të egra dhe shfaqja e një sektori shumë të fuqishëm të ndërtimeve që nuk njihte ligje dhe rregullore arriti të amortizojë jo vetëm zyrtarët e qeverisë dhe të komunave, por edhe çdo mundësi të mobilizimit qytetar për mbrojtjen e qyteteve dhe të trashëgimisë së tyre kulturore. Trembëdhjetë vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, numri i organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në këtë sektor është në mënyrë të papërfillshme i vogël. Në qytetet e Kosovës ende nuk kanë arritur mobilizimi i duhur i qytetarëve për të penguar degradimin e vazhdueshëm të shkaktuar nga grupe të fuqishme interesi, të lidhura edhe me zyrtarë të lartë shtetëror në të dyja nivelet e qeverisjes.

Trekëndëshi themelor i urbanizmit brenda Qendrës Historike të Prizrenit përbëhet nga Drejtoria për Urbanizëm, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria për Inspektorat. Derisa e para lëshon leje urbanistike, e dyta jep pëlqime për respektimin e parimeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ndërsa Inspektoratit i mbetet që të monitorojë procesin e ndërtimit bazuar në këto dy dokumente. Ajo që ndodh realisht brenda komunës së Prizrenit është se zyrtarët e urbanizmit thonë që janë në rregull me dokumentet dhe lejet e lëshuara, ndërsa përgjegjësinë për tejkalime dhe ndërtime pa leje ia hedhin Inspektoratit. Këta të fundit thirren në buxhetin e pamjaftueshëm, numrin e vogël të inspektorëve dhe sidomos (ndonëse jo publikisht) në pamundësinë për t’ia ndalë punimet ndërtuesve, të cilët shpesh i përshkruajnë si “të fortë dhe të paprekshëm”. Në gjithë këtë situatë, ai që i ka emëruar drejtorët e këtyre dikasterëve, kryetari i komunës së Prizrenit flet për kërkesat që ia ka drejtuar drejtorëve të tij për të vënë rregull urbanistik në qytet, duke e shpërfaqur pafuqinë e tij ekzekutive. As Kuvendi i Komunës nuk mund të amnistohet nga kjo përgjegjësi, pasi që ky institucion e ka miratuar “Planin e Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit”, ndërsa asnjë herë nuk ka kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi i komunës për shkeljen me dy këmbë të këtij dokumenti.

Dimension tjetër i dështimit të shtetit është momenti kur në këtë pamje hyn gjyqësori. Drejtoria për Inspektorat ka ngjarë të ketë dërguar ndonjë kërkesë në Gjykatën për Kundërvajtje për të nisur proces gjyqësor ndaj ndërtuesve që i shpërfillin lejet e ndërtimit. Por kjo nuk ka sjellë kurrfarë rezultati, duke ia rikonfirmuar fuqinë dhe paprekshmërinë ndërtuesve. Për më tepër, Prokuroria e Qarkut (tash Themelore) ka vite që zhvillon hetime në urbanizëm, ndërsa ende nuk ka arritur të shpallë aktakuzën, edhe pse dëshmitë janë shumë të dukshme dhe shumë shpesh të raportuara nga shoqëria civile dhe mediat. Në të njëjtën kohë, inspektorët e komunës gjatë punëve të inspektimit në terren, detyrohen të kërkojnë asistencë edhe nga Policia, e cila dërgon policë për të asistuar zyrtarët komunalë, por prezenca e tyre nuk i lehtëson aspak rrethanat e inspektimit.

Niveli qendror i përgjegjësisë institucionale për të mbrojtur qytetet është edhe më problematik. Janë disa ministri që kanë rol direkt dhe obligim ligjor për të parandaluar degradimin urbanistik dhe adresuar shkeljet. Ministritë e kulturës, planifikimit hapësinor dhe pushtet lokal janë adresat kryesore në qeverinë qendrore, të mandatuara për të siguruar rend urbanistik në qytete. Ministria e Kulturës, përmes Departamentit të vet të Trashëgimisë Kulturore dhe Instituteve rajonale për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, duhet të veprojë si autoriteti më i lartë shtetëror për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në rastin e Prizrenit, kjo ministri nuk ka ndërmarr asnjë veprim konkret për të adresuar kaosin urbanistik që po ndodh në Qendrën Historike të qytetit nga viti 1999. Në anën tjetër, Ministria e Planifikimit Hapësinor vazhdon të mbetet e heshtur karshi shkeljeve të Planit Hapësinor të Kosovës dhe planeve lokale urbane në Prizren. E fundit në këtë linjë të përgjegjësisë, Ministria e Pushtetit Lokal reagon tepër rrallë dhe shumë herë me butësi të pabesueshme karshi mosrespektimit të ligjshmërisë në miratimin e akteve komunale në Prizren.