Deurbanizimi i Prizrenit

27.06.2012

EC Ma Ndryshe shpreh shqetësim me gjendjen e krijuar në fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor në qytetin e Prizrenit ku rreth 80% të ndërtimeve nuk i janë përmbajtur lejes së ndërtimit. Për më tepër, tendencat për pazarllëqe të ndryshme me kompanitë ndërtimore janë fenomeni dominues i projekteve urbanistike të financuara nga buxheti i komunës së Prizrenit.

Dëshmia më e mirë për degradimin urbanistik të Prizrenit është shkresa zyrtare me Nr. 04-353 e Drejtorisë së Urbanizmit drejtuar Drejtorisë së Inspektoratit, në të cilin, në mes tjerash thuhet se “në bazë të evidencës që posedon shërbimi i DUPH ju njoftojmë se ndërtimet të cilat janë duke u zhvilluar kohëve të fundit janë mjaft shqetësuese; ato të cilat kanë leje ndërtimi mbi 80% nuk i janë përmbajtur lejes së ndërtimit ndërsa një numër shumë i madh i ndërtimeve tjera janë pa kurrfarë leje të ndërtimit.

Shërbimi i DUPH-së është i shqetësuar sidomos në lokacionet për të cilat disponon me plane rregulluese (Prevallë, Jani Mëhallë, Lakuriqi, Dardania etj) ndërsa në brendinë e tyre ndërtohet duke mos ju përmbajtur planeve rregulluese”.