Dëshmitë e degradimit urban të Prizrenit

17.07.2012

EC Ma Ndryshe edhe gjatë muajit korrik ka vazhduar me monitorimin e punës se ekzekutivit komunal të komunës së Prizrenit. Gjatë kësaj periudhe në fokus të monitorimit ka qenë sektori i urbanizmit dhe ndërtimet në Qendrën Historike të Prizrenit. Vetëm në gjashtë mujorin e vitit 2012 nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren janë lëshuar 62 pëlqime për ndërtim apo ndërhyrje në Qendrën Historike të Prizrenit. Shqetësues mbetet fakti që në një numër të konsiderueshëm ndërtimesh nuk respektohen projektet origjinale dhe leja e punës së lëshuar nga autoritetet komunale. Ky Institut edhe pse nuk e ka për obligim të procedojë kërkesa pranë Drejtorisë së Inspekcioneve, në tri vitet e fundit ka dërguar më se 25 kërkesa për ndërprerjen e punimeve apo edhe rrënimin e tyre për mos respektim të projektit në pajtim me pëlqimin e lëshuar nga Instituti dhe në pajtim me parimet e trashëgimisë kulturore për Qerndrën Historike të Prizrenit.