Mbi 18.000 euro në udhëtime zyrtare

17.08.2012

EC Ma Ndryshe i bën thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit që të jetë i kujdesshëm në shpenzimin e parasë publike në kategoritë paga e mëditje dhe mallra e shërbime. Kryetari i komunës ka obligim ligjor dhe moral që të menaxhojë me përgjegjësi paratë e taksapaguesve të Prizrenit. Udhëtimet e zyrtarëve të komunës, që vetëm për shtatë muajt e parë të vitit 2012 kapin shumën mbi 18.000 euro, paguhen nga paratë publike, respektivisht nga taksat e qytetarëve të Prizrenit. Prandaj, në marrjen e vendimeve për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare, kryetari i Komunës duhet t’i ketë parasysh standardet e qeverisjes së mirë dhe të menaxhimit adekuat me paranë publike. Në të njëjtën kohë, kryetari duhet të ketë parasysh se menaxhon me buxhetin e një komune me nivel mjaft të dobët të zhvillimit ekonomik dhe me tregues alarmant të niveleve të varfësrisë (dhe varfërisë ekstreme), papunësisë dhe rasteve sociale.