Ri-tenderohet projekti i rregullimit të infrastrukturës në Prevallë

25.10.2012


EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.

Qeveria komunale e Prizrenit me kërkesë të DUPH-së ka nxjerrë konkluzionin për ri-tenderim të projektit për rregullimin e infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë. DUPH-ja konsideron se tani janë krijuar rrethana të reja me miratimin e Planit Rregullues Urban, dhe me qëllim të zbatimit të këtij Plani është e nevojshme që të zgjidhen problemet e ndërtimit të vikend shtëpizave, të cilat janë evidente në këtë lokalitet.
Ekzekutivi lokal ka miratuar edhe vendimin për vlerësimin e gjendjes në kampingun e Prevallës, për të cilën  gjë  është  formuar  komisioni  përkatës  shtatë  anëtarësh,  ndërkohë  që do  të  përcaktohen  edhe kriteret e tenderit të ri për menaxhimin e kampingut në Prevallë.

Ndërsa propozimi i Drejtorisë së Administratës për furnizim me karburante për nevojat e komunës së Prizrenit ka kaluar njëzëri. Në bazë të parallogarite të DA-së do të kontraktohen afër 340 mijë litra dizel dhe afër 25 mijë litra benzinë, për nevojat e komunës, QKMF-së, shkollat e komunës dhe të QPS-së.

Në  këtë  takim  janë  miratuar  edhe  propozimet  e  Drejtorisë  së  Shërbimeve  Publike  për  shpalljen  e tenderit për fshirjen, larjen dhe largimin e borës në hapësirat publike në qytet, pastaj pastrimi i borës në rrugët  e  fshatrave  dhe  mirëmbajtja  e  hapësirave  të  gjelbra.  Po  ashtu  është  shpallur  tenderi  për ndërtimin e kanalizimit në fshatin Nashec, sikurse edhe ai për ndërtimin e disa rrugëve lokaleve e kanalizimeve me participim.

Ka kaluar edhe propozimi i DPMS-së për shpalljen e tenderit për kyçjen e kanalizimit  të objekteve të banimit social në kanalizimin e qytetit dhe janë lejuar mjetet për organizimin e një punëtorie në nivel rajonal për hartimin e statutit të QPS-së.

Qeveria  lokale i ka dhënë dritën e gjelbër edhe kërkesës  së DASH-it  për organizmin  e një akademie solemne me të gjitha shkollat e komunës së Prizrenit për nder të shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Njoftimin nga takimi i kryetarit me drejtorët e komunës mund ta shkarkoni këtu