Kampingu në Prevallë: Jashtë PRrU-së, me kontratë të skaduar dhe defekte të shumta

22.01.2013

Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe në pjesën e parë të muajit janar ka vazhduar me shqyrtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale në Prevallë.

Pas ngritjes së shqetësimeve në muajin dhjetor për gjendjen e krijuar në fshatin turistik të Prevallës, ku ndërtimet po vazhdojnë pa respektimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga DUPHja, dhe ri-tenderimin e projektit që është nën hetime, situatë po aq kritike përshkruhet të jetë edhe në kampingun e Prevallës, ku sipas të dhënave të organeve komunale të Prizrenit kontrata e menaxhimit të kampingut ka skaduar që nga data 15 maj 2011.

EC Ma Ndryshe gjatë periudhës raportuese ka siguruar “Procesverbalin për Kampingun në Prevallë” të hartuar nga komisioni shtatë anëtarësh komunal i formuar me aktvendimin e kryetarit të komunës, Ramadan Muja. Të gjeturat e komisionit, që janë përshkruar në procesverbalin e hartuar pas pesë takimesh, dëshmojnë për gjendjen skandaloze dhe alarmante në këtë kamping. Lexo komunikatën për media.