Mbahet tryeza "Bashkëpunimi media – shoqëri civile për qeverisje transparente"

08.02.2013

EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit "Transparenca online e komunës së Prizrenit", të mërkurën ka organizuar tryezën e diskutimit “Bashkëpunimi media – shoqëri civile për qeverisje transparente” në Prizren. Panelistë të tryezës kanë qenë Ismet Kryeziu, Drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Arben Ahmeti, Drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Kosovës dhe Ymer Berisha, Udhëheqës i Zyrës për Informim në komunën e Prizrenit. Pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues të medieve, shoqërisë civile dhe të partive politike, të cilët janë pajtuar se nevojitet një angazhim më i madh dhe bashkëpunim më i afërt për rritjen e nivelit të transparencës.

Në tryezë është thënë se mediat dhe OJQ-të që mbikëqyrin qeverisjen kanë një pikë të përbashkët të angazhimit të tyre, transparencën. Megjithatë, është pranuar se këta dy sektorë jo gjithmonë kanë koordinim të duhur në mënyrë që efekti i veprimtarisë së tyre të jetë më i madh dhe ndikues. Në nivel lokal, pothuaj se nuk ekzistojnë platforma të strukturuara të bashkëpunimit mes mediave dhe OJQ-ve, duke e zbehur dukshëm ndikimin e tyre në qeverisjen lokale. "Debati mbi bashkëpunimin mes medias dhe shoqërisë civile është një përpjekje për të kërkuar modele të mira veprimi në Prizren, për të dhënë një shembull të mirë të angazhimit dhe mobilizimit qytetar për qeverisje të mirë", ka thënë Hajrulla Çeku, drejtor ekzekutiv i EC Ma Ndryshe.

Ismet Kryeziu nga KDI ka theksuar se organizimi qytetar kërkon bashkëpunim dhe ikje nga individualiteti dhe se mekanizmi më i mirë për realizimin e kësaj janë mediet. "Në këtë fushë mediet janë jo vetëm instrument por edhe mbajtëse të angazhimit qytetar. Nëpërmjet tyre njerëzit mund ta gjejnë dritën e vet dhe t'i bëjnë publike opinionet", ka deklaruar Kryeziu. Ai ka shprehur bindjen se në Prizren, OJQ-të nuk kanë qenë prioritet për mediet lokale elektronike aq sa ka qenë pushteti, derisa ka shtuar se mediet e shkruara kanë pas një qasje tjetër në këtë aspekt.

Arben Ahmeti nga AGPK ka thënë se mediet lokale në Kosovë dhe Prizren ende nuk e kanë kuptuar fuqinë e tyre. "Fatkeqësisht gjendja është e keqe dhe si AGPK po bëjmë përpjekje që t'i inkurajojmë kolegët për gazetari më kualitative në terren", ka thënë ai. Në të njëjtën kohë ka kundërshtuar format e ndryshme të presionit që i aplikon pushteti lokal kundruall gazetarëve.

Ymer Berisha, zëdhënës i komunës së Prizrenit ka theksuar se është në dispozicion të gazetarëve dhe OJQ-ve gjatë gjithë kohës me qëllim të dhënies së informatave të nevojshme, sepse transparenca është në interes të vet pushtetit.
 
Projekti i monitorimit të transparencës ka filluar së zbatuari në muajin mars 2012 dhe synon ngritjen e nivelit të transparencës lokale në vendimmarrje përmes monitorimit të ekzekutivit të komunës së Prizrenit dhe raportimin për praktikat e vendimmarrjes lokale. Projekti "Transparenca online e komunës së Prizrenit" në periudhën mars – gusht 2012 u mbështet financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, ndërsa nga muaji shtator e tutje do të vazhdojë së zbatuari me kapacitete të rritura falë përkrahjes financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.