Njoftim nga takimi i kryetarit me drejtorët e komunës

13.02.2013

EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e komunës së Prizrenit" ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, në të cilin janë miratuar disa konkluzione.

Qeveria komunale e Prizrenit me kërkesën e Drejtorisë së Inspektorateve, ka nxjerrë konkluzionin për lejimin e shpalljes së tenderit për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do të merret me ekzekutimin e ndërtimeve pa leje në territorin e komunës së Prizrenit. Periudha e zbatimit përfshin afatin një vjeçar, pra vitin 2013, me ç’rast parallogaria e DI-së për ekzekutimin e objekteve pa leje kap shumën prej 50 mijë eurosh. Rezultatet e pritura nga zbatimi i këtij vendimi në bazë të propozimit të DI-së janë: respektimi i zbatimit të planeve urbanistike, realizimi i ndërtimeve sipas standardeve dhe rritja e buxhetit komunal.

Ekzekutivi lokal ka miratuar edhe propozimet e Drejtorisë për Shërbime Publike për shpalljen e tenderëve për ndërtimin e rrugëve lokale në fshatrat: Bregdri, Kojush, Krajk, Vërmicë dhe Romajë, (parallogaria 260 mijë euro), ndërtimin e rrugës lokale dhe kanalizimin në fshatin Randobravë (50 mijë euro), ndërtimin e rrugës lokale në fshatin Petrovë (60 mijë euro), si dhe ndërtimin e rrugëve Piranë- Reti, Dedaj-Rugovë, Krushë e Vogël-Piranë. Edhe në rrugët e Arbanës parashihet rregullimi i trotuareve, pastaj zgjerimi dhe ndërtimi i rrugës kryesore për në fshatin Poslisht, ndërtimi i kanalizimeve të fshatrave Mazrek (30 mijë euro) dhe Dobrusht (40 mijë euro). Lexo komunikatën për media.