Komuna e Prizrenit të gjej zgjidhje të qëndrueshme për problemin e ndriçimit publik

08.03.2013

Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë pjesës së dytë të muajit shkurt ka shqyrtuar angazhimet e qeverisë lokale në përmirësimin e shërbimeve komunale.

Gjatë kësaj periudhe të raportimit përmes mekanizmave të krijuar në platformën e “EC Ma Ndryshe” për monitorimin online të transparencës komunale, janë pranuar ankesa nga qytetarët në lidhje me shërbimet elementare komunale, përkatësisht mungesën e ndriçimit publik. Të njëjtat brenga janë ngritur edhe nga grupe të ndryshme të qytetarëve në kuadër të takimeve që “EC Ma Ndryshe” i ka mbajtur me shtresat e ndryshme të shoqërisë, si pjesë e projektit “Qyteti Gjithpërfshirës – Planifikimi me pjesëmarrje për zhvillim të qëndrueshëm urban në Prizren”.

Banorë të rrugës së Ulqinit ankohen se ndriçimi publik në rrugët e kësaj lagjeje ka një vit që nuk funksionon. Shqetësimi i tyre lidhet me nevojën që nxënësit duhet të lëvizin patjetër në këto rrugë, në orët e mbrëmjes, ngase atëherë kthehen nga shkolla. Sipas tyre ekziston rreziku potencial që këta fëmijë të pësojnë nga automjetet që qarkullojnë në këtë pjesë të qytetit, ku nuk funksionojnë dritat publike. Lexo komunikatën për media.