QEVERIA KOMUNALE NIS HARTIMIN E RREGULLORES PËR KUFIZIMET NË QENDRËN HISTORIKE

16.03.2013

EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" gjatë kësaj jave ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.

Konform Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit nr.04/L‐66 Komuna e Prizrenit obligohet që brenda dispozitave të Ligjit, të hartojë rregullore për aktivitetet e kufizuara dhe të ndaluara në brendinë e qendrës historike të Prizrenit.

Me këtë rast qeveria komunale e Prizrenit ka formuar komisionin shtatë anëtarësh nga sektorë të ndryshëm, që do të merret me hartimin e rregullores. Në përbërjen e këtij komisioni do të jenë dy anëtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, nga një anëtar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria për Kulturë, Drejtoria për Turizëm, Inspektorati, gjithashtu edhe një anëtar nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Lexo komunikatën për media.