Komuna e Mamushës me fondet e BE-së ndërton dy fusha sportive

12.06.2013

EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e komunës së Mamushës" ka marrë pjesë në mbledhjen e kryetarit të komunës, Arif Butuc me drejtorët komunal, ku janë miratuar një varg konkluzionesh. Për shkak se këto vendime kanë të bëjnë me interesin publik, EC Ma Ndryshe për hir të rritjes së transparencës së ekzekutivit lokal, tani e tutje do t’i publikoj vendimet e marra nga qeveria komunale e Mamushës.

Ekzekutivi i komunës së Mamushës gjatë javëve të kaluara ka miratuar një varg vendimesh në bazë të kërkesave të drejtorive përkatëse të komunës së Mamushës.
Kështu me kërkesën e Drejtorisë së Arsimit dhe në zbatim të Marrëveshjes për Implementimin e projektit për përfituesit e programit të stabilizimit të komuniteteve II (EU-CSP II) të datës 26.04.2013, kryetari i komunës nxjerrë vendim për bartjen e mjeteve në shumë prej 3.700 euro nga shuma e përgjithshme 12.178 euro për realizimin e projektit “Ndërtimi i fushës sportive në Shkollën e Mesme “Ataturk”” të Mamushës, si dhe derdhjen e mjeteve në shumën prej 5.300 euro nga shuma e përgjithshme prej 24 835.75 euro për “Ndërtimin e fushës sportive në shkollën fillore “Haxhi Ymer Lutfiu””.

Qeveria lokale i ka dhënë dritën e gjelbërt kërkesës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike, për pagesën e kontratës mbi vepër për dy punëtorë pastrimi për mirëmbajtjen e rrugëve në Mamushë.
Po ashtu, ekzektutivi lokal ka marrë vendim për emërimin e një menaxheri të kontratës për lëndën me titull “Furnizimi me material higjienik, me numër të Prokurimit 626/13/003/136”.

Ka kaluar edhe kërkesa e Drejtorisë për Shërbime Publike, për emërimin e organit mbikëqyrës, i cili do të monitorojë dhe mbikëqyrë projektin e financuar nga USAID-DEMI: “Furnizimi me kontenjer të vegjël për mbeturina”.