Komuna ndan 10 mijë euro për festivalin “Nine Eleven”

17.07.2013

EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" gjatë kësaj jave ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.

Ekzekutivi lokal me kërkesën e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nxjerrë konkluzionin për përkrahjen e festivalit tradicional të filmit “9/11 – Nine Eleven Dedication Festival” që deri më tani është mbajtur në Prishtinë, me 10 mijë euro. Vendimi nuk ka qenë unanim, pasi që zyrtarë të caktuar të qeverisë komunale kanë votuar kundër. Vendimi gjithashtu është përcjellë me diskutime, me ç’rast është kërkuar që të konfirmohet mbështetja edhe për festivalin “Dokufest” që tradicionalisht mbahet në Prizren. Edhe pse ndarja e mjeteve për festivalin “Dokufest” nuk ka qenë e paraparë në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, kjo pikë është shqyrtuar dhe qeveria lokale e Prizrenit ka marrë vendim që “Dokufestin” ta përkrah me 15 mijë euro. Ndërkohë kryetari i komunës ka theksuar se pos 15 mijë eurove komuna do të ofroj edhe përkrahje logjistike për “Dokufestin”, duke ofruar shërbime të transportit, zërimit, pajisjeve, etj.

Në këtë takim ka kaluar edhe një propozim tjetër i DKRS-së, që ka pas të bëj me organizimin e kursit të notit nga Asociacioni për Kulturë, Rini dhe Sport “Arena”, që është mbështetur me 4 mijë euro. Lexo komunikatën për media.