Kryetari i Prizrenit t’i rihapë takimet e ekzekutivit

25.04.2014

Kryetari i komunës së Prizrenit edhe në mandatin e tij të tretë të qeverisjes vazhdon praktikën e takimeve të mbyllura me drejtorët. Mbyllja e takimeve të ekzekutivit ka qenë njëra ndër veprimet më kundërthënëse dhe njëkohësisht më dëmtuese për demokracinë lokale, që është ndërmarrë në mandatit e dytë të kryetarit. Që nga marrja e një vendimi të këtillë, asnjëherë nuk është dhënë një arsyetim i artikuluar dhe bindës për arsyeshmërinë e kësaj mbylljeje.

Kjo praktikë, e cila bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente është dëshmia më e mirë se komuna e Prizrenit po dështon në promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë. Në takimet e kryetarit të komunës me drejtorët komunalë, merren vendimet më të ndieshme rreth menaxhimit të buxhetit komunal.

Forumi Transparenca shpreh pakënaqësinë dhe mospajtimin e vet në lidhje me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të marrë pjesë në takimet e kryetarit të komunës me drejtorët komunalë. Kjo mbyllje e vendimmarrjes komunale është pengesë direkte ndaj punës së këtyre akterëve, të cilët kanë për qëllim rritjen e informimit publik. Lexo komunikatën për media.