Transparenca e qeverisjes lokale në Prizren

06.07.2014

Më 3 korrik në Prizren, Forumi Transparenca ka mbajtur debatin e tretë të ciklit “Ballafaqim” me temë “Transparenca e qeverisjes lokale në Prizren”, ku folën Ymer Berisha, zyrtar për informim i Komunës dhe Kujtim Gashi, kryesues i Kuvendit të Komunës. Panelistët kishin një përballje me anëtarët e Forumit Transparenca dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare në Prizren, ndërsa debati u moderuar nga gazetarja e Radio Kosovës, Valbona Musliu.

Diskutimi u fokusua në çështjet e transparencës dhe llogaridhënies së komunës së Prizrenit. Në mënyrë të veçantë u trajtuan problemet në raport me informimin publik, konsultimet publike, transparencën financiare, takimet e ekzekutivit si dhe qasjen në dokumente publike. Hapja e vendimmarrjes së ekzekutivit ndaj mediave dhe organizatave të shoqërisë civile u rikonfirmua si njëra ndër kërkesat më esenciale të Forumit Transparenca. Për më tepër, pjesëmarrësit e diskutimit konstatuan ngecje të transparencës dhe llogaridhënies në raport me përditësimin e web-faqes së komunës, publikimin e procesverbaleve të Kuvendit, përpilimin e raporteve të punës së Kuvendit dhe përfshirjen e qytetarëve në marrjen e vendimeve.

Zyrtarët e komunës kanë insistuar se komuna e Prizrenit tregon nivel të lartë të transparencës, ndërsa kanë shfaqur prirje për të shpërndarë përgjegjësinë tek zyrtarë individual në rastet e cenimit të transparencës. Përfaqësuesit e partive politike opozitare kanë qenë shumë kritike ndaj punës së organeve komunale, e sidomos ndaj ekzekutivit. Ata kanë risjellë në diskutim dënimin e Kryetarit të Komunës, duke aluduar në pamundësinë e qeverisjes transparente me një kryetar të dënuar.Anëtarët e Forumit Transparenca kanë qartësuar se insistimi i tyre për hapjen e vendimmarrjes së ekzekutivit nuk do të ndalet, ndërsa kanë kërkuar zgjidhje për problemin permanent të vonesave sa i përket kërkesave për qasje në dokumente publike. Nga Kryesuesi i Kuvendit u kërkua më shumë presion ndaj ekzekutivit në raport me transparencën, ndërsa anëtarët e Forumit Transparenca dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare në parim u pajtuan për marrjen e një nisme në Kuvendin e Komunës, përmes së cilës ky institucion do t’i kërkonte Kryetarit të Komunës hapjen e vendimmarrjes ndaj mediave, shoqërisë civile dhe palëve të tjera.

Forumi Transparenca do të vazhdojë organizimin e debateve të rregullta në kuadër të ciklit “Ballafaqim”.