Muja t’i ndalë kërcënimet ndaj gazetarëve

11.09.2014

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja vazhdon të përdorë gjuhë disiplinuese dhe kërcënuese ndaj gazetarëve për mënyrën e raportimit sa i përket çështjeve të komunës. Ai ka keqpërdorur debatin publik për buxhetin e komunës për të ngritur akuza ndaj gazetarëve, duke aluduar se ata po përdredhin fjalët e tij.

Gjatë gjithë kësaj jave, kryetari i Komunës ka mbajtur debate publike për buxhetin në disa zona të komunës. Raportimi i medieve lidhur me diskutimet që kanë ndodhur në debatet në Gjonaj, Reçanë e Korishë me gjasë nuk i kanë pëlqyer kryetarit Muja, pasi që në këto debate janë artikuluar mjaft pakënaqësi nga qytetarët. Në debatin përmbyllës në sallën e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, teksa po i përgjigjej pyetjes së një qytetari, ndonëse fillimisht ka deklaruar se nuk dëshiron të përdorë fjalor konfrontues, fjalën e tij e ka vazhduar me konstatimin se gazetarët zakonisht i përdredhin fjalët e tij.

Forumi Transparenca dënon publikisht fjalorin rëndues të kryetarit Muja mbi përfaqësuesit e medieve. Ky fjalor është dëshmi e përpjekjeve të tij për të ushtruar presion ndaj gazetarëve, të cilët me raste edhe janë kërcënuar nga kryetari vetëm pse e kryejnë punën e tyre dhe refuzojnë t’i nënshtrohen çfarëdo diktati të pushtetit. Ky nuk është rasti i parë që kryetari Muja vepron kësisoj. Për më tepër, kjo sjellje e kryetarit Muja ka ndodhur gjatë debatit publik me qytetarët, rast të cilin ai e ka keqpërdorur për t’i disiplinuar gazetarët që të raportojnë sipas qejfit të tij. Lexo komunikatën për media.