Muja refuzon ballafaqimin me Forumin Transparenca

22.09.2014

Pas dy ftesave brenda një muaji për të marrë pjesë në debatin “Ballafaqim” me anëtarët e Forumit Transparenca, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja ka dhënë edhe një dëshmi për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies karshi qytetarëve. Ai ka refuzuar të ballafaqohet me gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile për të diskutuar mbi çështjet e qeverisjes lokale.

Refuzimi për të diskutuar me grupet e komunitetit është shkelje e parimeve themelore të qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse nga Kryetari i Komunës. Për më tepër, ky barrikadim i Kryetarit të Komunës në periudhën e hartimit të buxhetit komunal për vitin 2015 paraqet edhe shkelje të obligimeve ligjore. Sipas Ligjit për Financat Publike, Kryetari është edhe Administrator Financiar i Komunës dhe obligohet të veprojë në pajtim me obligimet ligjore të konsultimit me qytetarë në raport me menaxhimin e parasë publike.

Obligim tjetër ligjor i Kryetarit të Komunës rrjedh edhe nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, sipas të cilit, përveç takimeve publike, komunat janë të obliguara t’i informojnë qytetarët e komunës për çfarëdo planesh apo programesh të rëndësishme me interes publik, siç rregullohet me statutin e komunës. I njëjti ligj përcakton se Kryetari përfaqëson komunën dhe vepron në emër të saj. Forumi Transparenca e ka ftuar Kryetarin e Komunës për t’u informuar dhe diskutuar mbi qeverisjen lokale, ndërsa refuzimi i tij qartë paraqet shkelje ligjore. Lexo komunikatën për media.