Konteksti
Kryetarët e komunave të Kosovës, në dy mandatet e fundit të qeverisjes lokale, janë zgjedhur drejtpërdrejtë me votën e qytetarëve. Kjo e fundit ka sjellë një ndryshim të sistemit i cili nga ana tjetër nuk ka sjellë ndonjë përmirësim të konsiderueshëm në efikasitetin e ofrimit të shërbimeve publike. Akoma më keq, në tri vitet e fundit ligjshmëria është duke u sfiduar seriozisht. Ekzekutivi komunal është duke promovuar një tjetër cilësi të qeverisjes dhe të ofrimit të shërbimeve. Megjithëse nuk paraqet një ndryshim të dëshiruar dhe pozitiv, ekzekutivi i komunës (sidomos kryetari) po shndërrohet në adresën kryesore të përgjegjësisë dhe llogaridhënies për sa i përket qeverisjes së mirë dhe shërbimeve cilësore publike për qytetarët.
Mbikëqyrja e ekzekutivit (sidomos pjesa e ligjshmërisë) është një nga sfidat madhore të qeverisjes lokale në Kosovë. Përderisa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal lë ende për të dëshiruar për sa i përket të vepruarit efektiv, as kuvendet komunale dhe as institucionet gjyqësore nuk kanë kapacitete të punës në garantimin e sundimit të ligjit. Shoqëria civile, deri më sot, ka arritur të monitorojë dhe raportojë mbi aktivitetet e legjislativit komunal, derisa kryetari i komunës dhe pjesa tjetër e ekzekutivit kanë mbetur jashtë mbikëqyrjes, dhe si rrjedhojë nuk e ndjejnë presionin e qytetarëve gjatë kryerjes së funksioneve të tyre.
Ueb-faqja e transparencës do të shndërrohet në një instrument të përhershëm të raportimit mbi qeverisjen lokale (të transparencës dhe qeverisjes së mirë), ndërkohë që aktivitetet e avokimit dhe adresimi i shpërdorimeve të identifikuara përmes mjeteve ligjore do të prodhojnë efekte afatgjata në nxitjen e transparencës në vendimmarrje. Paralelisht me këtë, projekti do të forcojë qasjen e shoqërisë civile në vendimmarrjen e pushtetit lokal, që si rrjedhim do të ketë ngritjen e dialogut mes shoqërisë civile dhe pushtetit lokal, si dhe përmirësimin e qeverisjes së mirë lokale.
EC Ma Ndryshe tashmë ka filluar me fazën testuese të këtij projekti (nga 1 prilli 2012) dhe aktualisht është e përfshirë në monitorimin e punës së kryetarit të komunës së Prizrenit si dhe të Drejtorisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Deri më tani, gjatë monitorimit janë zbuluar disa gjetje interesante, respektivisht: niveli i ulët i publikimit të vendimeve, mirëmbajtja e ulët e faqes së internetit të komunës, mungesa e Planit Vjetor të Punës të kryetarit të komunës si dhe shkelje të dispozitave ligjore lidhur me ofrimin e përgjigjes zyrtare ndaj kërkesave të qytetarëve përmes peticioneve dhe formave të tjera të pjesëmarrjes. EC Ma Ndryshe është e vetmja organizatë e cila bën monitorimin e ekzekutivit të komunës në Prizren, pasi shoqërisë civile i mungojnë kapacitetet e nevojshme për monitorimin e punës së pushtetit lokal (me përjashtim të një OJQ-je që bën monitorimin e Kuvendit Komunal të Prizrenit). Faza testuese e këtij projekti do të zgjasë deri në gusht të vitit 2012, dhe përkrahet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.