“Ballafaqim” Deponia problematike e mbeturinave në Landovicë

22.10.2015

Forumi Transparenca sonte (21.10.2015) ka mbajtur debatin e pestë të ciklit “Ballafaqim” me temë “Deponia problematike e mbeturinave në Landovicë”, që në fokus kishte çështjen e trajtimit të mbeturinave në deponinë e fshatit Landovicë. Panelistë të këtij debati ishin z. Fadil Berisha, kryetar i fshatit Landovicë, znj. Nurishahe Hulaj nga Instituti për Shëndetësi Publike, z. Nehat Basha dhe z. Elbasan Shala, Inspektor nga Departamenti për Mbrojtjen e Ujërave pranë MMPH-së. Debati u moderua nga z. Refki Reshitaj, gazetar dhe anëtar i Forumit Transparenca.

Gjatë debatit të sotëm u trajtuan çështjet që kanë të bëjnë me trajtimin e mbeturinave, ndotjes së ambientit, përfshirë, ujin, tokën bujqësore, shëndetin e banorëve, përpjekjet e insitucioneve për zgjidhjen e problemit për këtë deponi mbeturinash sikurse të vetë banorëve, investimet dhe planifikimet afatëshkurtëra dhe afatgjata për këtë çështje, inspektimet nga niveli lokal dhe qendror, zgjidhjet e mundshme për këtë deponi, etj.

Paneli kishte përballje me anëtarët e Forumit Transparenca dhe përfaqësuesit e subjekteve politike të Prizrenit (Tafil Kalimashi, LDK dhe Drita Millaku, LVV), banorëve të fshatit Landovicë dhe Shoqatës Ambientaliste “Pellgu”.