Aktivitetet


Projekti do të zbatohet brenda periudhës dy vjeçare Gusht 2013 – Korrik 2015 dhe do të jetë i ndarë në dy faza themelore: monitorimi dhe publikimi i të gjeturave dhe avokimi dhe adresimi i përgjegjësisë. Ndonëse këto dy komponenta do të jenë të integruara gjatë gjithë periudhës së zbatimit të projektit, në vitin e parë fokusi do të jetë në monitorim dhe publikim, ndërsa gjatë vitit të dytë të projektit do të intensifikohet aktiviteti avokues dhe sidomos i adresimit të përgjegjësisë institucionale përmes presionit për nisjen e proceseve hetimore, gjyqësore, procedurale dhe ndëshkimore ndaj rasteve të raportuara të shkeljeve në urbanizëm dhe planifikim hapësinor. Më poshtë janë aktivitetet e projektit:

Monitorimi i përhershëm i institucioneve – monitorimi do të përformohet përmes stafit monitorues që do të kenë qasje të papenguar në vendimmarrjen e këtyre institucioneve: Kryetari i Komunës, Drejtoria për Urbanizëm, Drejtoria për Inspektorat, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prizren, Komisioni Parlamentar për Planifikim Hapësinor, Ministria e Kulturës, Ministria e Planifikimit Hapësinor, Ministria e Pushtetit Lokal, Institucionet lokale dhe qendrore të gjyqësisë dhe policisë.

Monitorimi do të shikojë tërë ciklin e vendimmarrjes dhe zbatimit të politikave dhe ligjeve në urbanizëm, i cili përfshin:

  • Lejet e ndërtimit të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizmit,
  • Respektimin e pëlqimeve të lëshuara nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës nga Drejtoria e Urbanizmit gjatë lëshimit të lejeve të ndërtimit,
  • Respektimine ligjeve dhe Planit të Konservimit dhe Zhvillimit të Qendrës Historike të Prizrenit nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës gjatë dhënies së pëlqimeve,
  • Kryerjen e punëve të inspektimit nga Drejtoria për Inspektorat dhe procedimi në gjyqësor i rasteve të shkeljeve,
  • Mbikëqyrjen e ekzekutivit komunal nga Kuvendi i Komunës në raport me respektimin e rregulloreve të urbanizmit dhe Planit të Konservimit dhe Zhvillimit,
  • Mbikëqyrjen e punës së drejtorive të urbanizmit dhe inspektoratit nga kryetari i komunës dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete për të adresuar mosveprimin dhe shkeljet,
  • Reagimin e institucioneve të gjyqësisë lokale dhe rajonale në raport me rastet e proceduara nga komuna,
  • Nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë Themelore pas publikimit të shkeljeve në urbanizëm nga shoqëria civile dhe media,
  • Performimin e rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Kulturës në raport me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit,
  • Performimine rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor në raport me respektimin e Planit Hapësinor të Kosovës, Planit Zhvillimor Urban, planeve rregullative dhe Planit të Konservimit dhe Zhvillimit të Qendrës Historike të Prizrenit,
  • Performimin e rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Pushtetit Lokal në raport me ligjshmërinë e akteve komunale që kanë të bëjnë me urbanizmin dhe planifikimin hapësinor,
  • Performimin e rolit mbikëqyrës të Komisionit Parlamentar për Planifikim Hapësinor ndaj ekzekutivit, përfshi ministritë e linjës të qeverisë qendrore dhe komunën e Prizrenit,
  • Transparencën institucionale në marrjen e vendimeve në urbanizëm, dhe
  • Pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen lokale dhe qendrore në hartimin e planeve urbane të qytetit të Prizrenit.


Publikimi i rregullt i të gjeturave të monitorimit – të gjeturat e monitorimit do të publikohen në baza të rregullta përmes mekanizmave të ndryshëm:

  • Komunikata dy-javore për media,
  • Analiza katër-mujore të shkurtra,
  • Raporte katër-mujore të hulumtimit,
  • Shkrime dhe editoriale mujore në media të shkruara,
  • Web-aplikacione të përditësuara rregullisht në kuadër të faqes online-transparency.org,
  • Paraqitje grafike e të gjeturave,


Avokimi i rregullt ndaj institucioneve të monitoruara – avokimi do të ndërtohet mbi të gjeturat e publikuara të monitorimit dhe do të realizohet përmes këtyre mekanizmave:

  • Konferenca mujore për media,
  • Tryeza dy-mujore të diskutimit,
  • Konferenca gjashtë mujore,
  • Takime të rregullta me vendimmarrësit në nivel lokal dhe qendror,
  • Pjesëmarrja në dëgjimet publike lokale dhe qendrore mbi urbanizmin,
  • Prezenca e rregullt në media lokale dhe qendrore për të prezantuar të gjeturat,


Adresimi i përgjegjësisë institucionale – të gjitha shkeljet e identifikuara gjatë procesit të monitorimit do të procesohen në institucione përkatëse të adresimit të përgjegjësisë, përfshi:

  • Institucionet e gjyqësisë lokale dhe rajonale (sipas nevojës edhe qendrore),
  • Ministritë e Pushtetit Lokal, Kulturës dhe Planifikimin Hapësinor, dhe
  • Komisionin Parlamentar për Planifikim Hapësinor.


Mobilizimi qytetar për planifikim urban – projekti do të përfitojë nga aktiviteti i EC Ma Ndryshe që ka filluar në janar 2013 dhe i cili synon përkthimin e nevojave të grupeve të komunitetit (gratë, të moshuarit, të rinjtë, personat me nevojat të veçanta, etj.) në plane të zbatueshme urbane në Prizren. Këto grupe do të mobilizohen në forma të ndryshme për të siguruar transparencë më të madhe në urbanizëm dhe pjesëmarrje direkte të këtyre grupeve në hartimin dhe zbatimin e planeve urbane të qytetit.