Qasja e qytetarëve në vendimmarrje

Qytetarët e komunës së Prizrenit edhe më tutje nuk janë pjesë e politikë-bërjes lokale dhe përfshirja e tyre në procesin e konsultimeve është tepër e rrallë ose vetëm formale. Mekanizmat e demokracisë direkte, të cilat parashihen me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Statutin e komunës së Prizrenit janë mundësi e pashfrytëzuar deri tani në komunën e Prizrenit. Në anën tjetër, komuna e Prizrenit po dëshmon paaftësi totale në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike, takimeve publike, buxhetimit me pjesëmarrja dhe komiteteve konsultative.

Mekanizmat e demokracisë direkte, të cilat parashihen me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Statutin e komunës së Prizrenit (referendumi, iniciativa qytetare, etj.), janë mundësi e pashfrytëzuar deri tani në komunën e Prizrenit. Në anën tjetër, komuna e Prizrenit po dëshmon paaftësi totale në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike, takimeve publike, buxhetimit me pjesëmarrja dhe komiteteve konsultative.

KONSULTIMET PUBLIKE

Zyrtarët e komunës së Prizrenit nuk e kuptojnë drejtë procesin e konsultimeve publike, ndërsa ka të tillë që ato i ngatërrojnë edhe me takimet e komunës me qytetarët. Raportet hulumtuese rreth qeverisjes lokale tregojnë se vendimmarrësit komunalë jo gjithmonë e kuptojnë saktë ciklin e politikë-bërjes, ndërsa edhe atëherë kur konsultohen, qytetarët takohen vetëm për formalitet. Zyrtarët e komunës së Prizrenit nuk i kushtojnë rëndësi disa aspekteve themelore të organizimit të konsultimeve publike rreth akteve dhe vendimeve komunale. Gati në të gjitha rastet, konsultimet me qytetarë organizohen me një grup të ngushtë personash të ftuar, me material të prezantuar vetëm gjatë takimit dhe me përmbyllje të këtyre takimeve për 2-3 orë diskutime. Për më tepër, nuk ekziston kurrfarë mekanizmi për të adresuar vërejtjet e qytetarëve që ngrihen gjatë këtyre takimeve.

TAKIMET PUBLIKE

Këto takime shihen më tepër si obligim që buron nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale dhe Statuti i Komunës së Prizrenit, se sa mundësi për të dëgjuar kërkesat dhe vërejtjet  e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrjen lokale. Këto takime, sikurse kërkohet me ligj, mbahen 2 herë në vit dhe në këtë pikë komuna është e përpiktë. Pjesëmarrja në takimet publike është e nivelit të ultë, ndërsa ekziston një bindje e fuqishme e qytetarëve të Prizrenit, që komuna ka prirje për t’i ftuar punëtorët e administratës komunale dhe simpatizantët e partisë në pushtet në këto takime, në mënyrë që të evitohen kritikat dhe përplasjet eventuale me qytetarët. UNDP dhe USAID, në raportin Mozaiku të vitit 2006, kanë zbuluar se 23% e qytetarëve në nivel të Kosovës kanë njohuri për takimet e organizuara nga komuna e tyre, derisa në vitin 2009, ky numër ishte më i madh – mesatarisht, një në tre të anketuar deklaruan se ishin në njohuri për këto takime, por vetëm 8% e tyre morri pjesë. Monitoruesit e punës së komunës dhe gazetarët e Prizrenit rregullisht kanë raportuar për mungesë të diskutimeve substanciale gjatë këtyre takimeve dhe për paaftësinë e zyrtarëve komunalë për t’i adresuar vërejtjet eventuale që janë ngritur nga qytetarët pjesëmarrës.

BUXHETIMI ME PJESËMARRJE

Komunat e Kosovës janë shumë larg praktikave të përfshirjes së qytetarëve në diskutimet dhe vendimet rreth buxhetit komunal. Buxhetimi me pjesëmarrje i përfshin qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimeve për shpenzime dhe prioritete të buxhetit publik. Proceset e buxhetimin me pjesëmarrje mund të përcaktohen nga dimensioni gjeografik (qoftë lagje ose më e madhe) ose dimensioni tematik. Gjatë buxhetimit me pjesëmarrje ndodh përfshirja e banorëve dhe grupeve të komunitetit në diskutim dhe votim të prioriteteve shpenzuese, dhënie të propozimeve shpenzuese dhe votim të tyre, si dhe qytetarëve iu mundësohet një rol në monitorimin e procesit dhe rezultateve që dalin nga ky lloj i bërjes dhe shpenzimit të buxhetit lokal. Ndonëse gjatë këtij viti, kryetari i komunës së Prizrenit ka organizuar disa takime me grupe qytetarësh për të diskutuar mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, e paqartë mbetet shkalla e respektimit të kërkesave të qytetarëve në projektimin e buxhetit vjetor të komunës. Praktika e viteve të fundit dëshmon se hartimi i buxhetit vjetor të komunës varet plotësisht nga vullneti i kryetarit dhe një grupi të ngushtë individësh rreth tij.

KOMITETET KONSULTATIVE

Themelimi i komiteteve konsultative është një nga obligimet që dalin nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale. MAPL-ja ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për Komitetet Konsultative, që qytetarët dhe grupet e tjera të interesit të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes lokale.  Deri tani, komuna e Prizrenit është treguar shumë e ngathtë në themelimin e komiteteve konsultative. Në të njëjtën kohë, nuk është vërejtur as ndonjë interesim nga qytetarët ose shoqëria civile për të shfrytëzuar këtë mekanizëm të vendimmarrjes qytetare.